Neni 420-1
"Rivendosja në afatin e ankimit (Shtuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Palët rivendosen në afatin e ankimit kur provojnë se nuk kanë pasur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore. Kërkesa shoqërohet së bashku me ankimin, me pasojë mospranimi. 2. Kur gjykimi është zhvilluar sipas parashikimeve të nenit 351, të këtij Kodi, i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin. 3. Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e faktit që përbënte rast ose forcë madhore, kurse në rastet e parashikuara në paragrafin 2, të këtij neni, nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për vendimin. Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë dhe për çdo shkallë të procedimit. 4. Nëse ankuesi nuk paraqitet në seancë, pa shkaqe të arsyeshme, megjithëse ka dijeni rregullisht për datën dhe orën e saj ose heq dorë nga kërkesa, gjykata vendos mospranimin e kërkesës. 5. Kur kërkesa pranohet dhe vendimi për të cilin është lejuar rivendosja në afat është një vendim dënimi me burgim, i cili është ekzekutuar, ekzekutimi i dënimit pezullohet. Gjykata urdhëron lirimin e menjëhershëm të të pandehurit në rast se nuk mbahet për shkak të një mase sigurimi me arrest. 6. Gjykata arsyeton vendimin brenda 5 ditëve nga shpallja e tij. 7. Kundër vendimin që lejon rivendosjen në afat bëhet ankim së bashku me vendimin përfundimtar. 8. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve. Gjykata e apelit shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 15 ditëve nga data e marrjes së akteve."