Neni 406-e
"Miratimi i marrëveshjes 1. Kur nuk vendos pushimin e çështjes ose kthimin e akteve prokurorit, gjykata vendos miratimin e marrëveshjes. 2. Vendimi përmban në mënyrë të përmbledhur, me pasojë pavlefshmërie: a) gjenealitetet e të pandehurit dhe të dhënat e tjera personale të nevojshme për identifikimin e tij, si dhe gjenealitetet e viktimës, nëse është e pranishme; b) faktin që i pandehuri ka qenë i përfaqësuar dhe identitetin e mbrojtësit të tij; c) faktin që i pandehuri e ka kuptuar përmbajtjen e marrëveshjes dhe pasojat që vijnë prej saj dhe ka nënshkruar me vullnet të lirë; ç) faktin se cilësimi juridik i veprës dhe rrethanat e saj, përshtatshmëria e dënimit të caktuar, si dhe mungesa e shkaqeve të padënueshmërisë apo të shuarjes së veprës penale, janë vlerësuar drejt nga prokurori; d) deklarimin fajtor të të pandehurit, caktimin e dënimit dhe disponime të tjera, sipas përmbajtjes së marrëveshjes; dh) datën dhe nënshkrimin e vendimit. 3. Kur është arritur marrëveshja për dëmin civil, ajo është pjesë e përmbajtjes së vendimit gjyqësor. 4. Gjykata nuk mund të ndryshojë kushtet e marrëveshjes së arritur mes palëve."