Neni 406-dh
"Shqyrtimi nga gjykata 1. Me arritjen e marrëveshjes, prokurori e dërgon atë për miratim në gjykatë, së bashku me të gjitha aktet e hetimeve paraprake. Kur marrëveshja paraqitet në seancën paraprake, gjykata vendos sipas parashikimeve të paragrafit 4, të nenit 332/c, të këtij Kodi. 2. Gjykata e shqyrton kërkesën në seancë gjyqësore brenda tridhjetë ditëve nga paraqitja e saj. Seanca zhvillohet me praninë e detyrueshme të prokurorit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij. Viktima njoftohet dhe ka të drejtë të marrë pjesë. Mosparaqitja e viktimës nuk pengon shqyrtimin e çështjes. 3. Pas verifikimit të paraqitjes së palëve, gjykata e deklaron të hapur shqyrtimin gjyqësor dhe fton prokurorin për të paraqitur, në mënyrë të përmbledhur, rezultatet e marrëveshjes së arritur. Mbrojtësi e merr fjalën, nëse e kërkon. 4. Gjykata e pyet posaçërisht të pandehurin lidhur me sa më poshtë: a) nëse e ka bërë marrëveshjen me vullnetin e tij të lirë; b) nëse ka qenë i përfaqësuar nga mbrojtësi në bisedimet për arritjen dhe nënshkrimin e saj; c) nëse e kupton marrëveshjen dhe përmbajtjen e saj; ç) nëse i ka kuptuar pasojat që vijnë prej miratimit të marrëveshjes; d) nëse jep pëlqimin që marrëveshja të miratohet dhe të vihet në ekzekutim. 5. Në rastet kur viktima është e pranishme, gjykata e fton të japë mendim mbi përmbajtjen e marrëveshjes."