Neni 369
"Leximet e lejueshme (Shtuar pika “3” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002; ndryshuar fjalë dhe shtuar fjalia në pikën 5 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Gjykata edhe kryesisht, vendos që të lexohen, tërësisht ose pjesërisht aktet që përmbahen në fashikullin për shqyrtimin gjyqësor. 2. Me kërkesën e palëve, gjykata mund të vendosë që të lexohen aktet e marra gjatë hetimeve paraprake kur për shkak të rrethanave të paparashikuara ato nuk mund të përsëriten më. 3. Leximi i deklarimeve të bëra nga shtetasi shqiptar ose i huaj, banues jashtë shtetit, mund të bëhet në qoftë se ai është thirrur dhe nuk është paraqitur ose kur nuk gjendet, me gjithë kërkimet e bëra nga policia gjyqësore, si dhe kur refuzon të dëshmojë. Në këtë rast akti vlerësohet duke u lidhur me provat e tjera. 4. Oficeri ose agjenti i policisë gjyqësore, që pyetet si dëshmitar, mund t’i përdorë aktet e policisë gjyqësore për të ndihmuar kujtesën. 5. Në vend të leximit, gjykata, edhe kryesisht, mund të tregojë aktet që lejohet të përdoren për dhënien e vendimit. Tregimi i akteve barazohet me leximin e tyre."