Neni 329-b
"Shqyrtimi i kërkesës (Shtuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Brenda pesë ditëve nga depozitimi i kërkesës, gjykata njofton të pandehurin, mbrojtësin e tij, viktimën ose trashëgimtarët e saj kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, si dhe personin që ka bërë kallëzim ose ankim, për datën dhe orën e gjykimit. 2. Kërkesa shqyrtohet nga gjyqtari i seancës paraprake në seancë me dyer të mbyllura, në prani të palëve. Kur pala nuk paraqitet, ndonëse është njoftuar rregullisht, ose refuzon të paraqitet, pa parashtruar shkaqe të arsyeshme, gjykimi zhvillohet pa praninë e saj. 3. Kur janë kushtet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, gjykata vendos pushimin e akuzës ose çështjes. Në rast të kundërt, gjykata vendos sipas parashikimeve të shkronjës “b” ose “c”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi. 4. Kur gjykata vendos sipas shkronjës “b”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi, i cakton prokurorit një afat për kryerjen e hetimeve. 5. Kur është rasti, zbatohen rregullat e parashikuara nga paragrafi 4, i nenit 329, të këtij Kodi. 6. Kundër vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit. Zbatohen për aq sa janë të pajtueshme rregullat e përcaktuara në nenin 329 të këtij Kodi."