Neni 235
"Ndalimi dhe detyrimi i qëndrimit në një vend të caktuar (Hequr fjalë me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Me vendimin që disponon ndalimin e qëndrimit, gjykata urdhëron të pandehurin të mos qëndrojë në një vend të caktuar dhe të mos shkojë atje pa autorizimin e tij. 2. Me vendimin që disponon detyrimin e qëndrimit, gjykata urdhëron të pandehurin të mos largohet pa autorizimin e saj nga territori i bashkisë ku qëndron zakonisht. Kur, për shkak të personalitetit të të pandehurit ose të kushteve të terrenit, qëndrimi në këtë vend nuk garanton nevojat e sigurimit, detyrimi i qëndrimit mund të urdhërohet në territorin e një bashkie tjetër. 3. Kur vendos detyrimin e qëndrimit, gjykata tregon organin e policisë të cilit i pandehuri duhet t’i paraqitet pa vonesë dhe të deklarojë vendin ku do të caktojë banesën e vet. Gjykata mund të urdhërojë të pandehurin t’u deklarojë organeve të policisë oraret dhe vendet ku mund të gjendet çdo ditë. 4. Për urdhrat e gjykatës njoftohet organi i policisë që të mbikëqyrë respektimin dhe t’i raportojë prokurorit çdo shkelje."