Neni 159
"Ruajtja e sekretit profesional 1. Nuk mund të detyrohen të dëshmojnë për sa dinë për shkak të profesionit, me përjashtim të rasteve kur kanë detyrimin që t’ua referojnë autoriteteve proceduese: a) përfaqësuesit e besimeve fetare, statutet e të cilëve nuk janë në kundërshtim me rendin juridik shqiptar; b) avokatët, përfaqësuesit ligjorë dhe noterët; c) mjekët, kirurgët, farmacistët, obstetrët dhe kushdo që ushtron një profesion shëndetësor; ç) ata që ushtrojnë profesione të tjera, të cilëve ligji u njeh të drejtën të mos dëshmojnë për ato që lidhen me sekretin profesional. 2. Gjykata, kur ka arsye të dyshojë se pretendimi i bërë nga këta persona për t’iu shmangur dëshmisë nuk ka baza, urdhëron verifikimet e nevojshme. Kur ai rezulton pa baza, gjykata urdhëron që dëshmitari të deponojë. 3. Dispozitat e parashikuara nga paragrafi 1 dhe 2 zbatohen edhe për gazetarët profesionistë lidhur me emrat e personave nga të cilët ata kanë marrë të dhëna gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Por, kur të dhënat janë të domosdoshme për të provuar veprën penale dhe vërtetësia e këtyre të dhënave mund të dalë vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit, gjykata urdhëron gazetarin që të tregojë burimin e informacionit të tij."