Neni 160
"Ruajtja e sekretit shtetëror (Shtuar pika 6 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Nëpunësit shtetërorë, nëpunësit publikë dhe të ngarkuarit me një shërbim publik janë të detyruar të mos dëshmojnë për faktet që janë sekret shtetëror. 2. Kur dëshmitari pretendon se fakti përbën sekret shtetëror, organi procedues kërkon konfirmimin me shkrim të organit kompetent shtetëror. 3. Kur sekreti konfirmohet dhe prova nuk është thelbësore për zgjidhjen e çështjes, dëshmitari nuk pyetet, ndërsa kur prova është thelbësore, organi procedues vendos pezullimin e çështjes derisa të japë përgjigje organi më i lartë i administratës shtetërore. Pas kësaj dëshmitari detyrohet të dëshmojë. 4. Kur tridhjetë ditë nga njoftimi i kërkesës, organi shtetëror kompetent nuk jep konfirmimin e sekretit, dëshmitarit i kërkohet të dëshmojë. 5. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore, si dhe personeli i shërbimit informativ nuk mund të detyrohen të tregojnë emrat e informatorëve të tyre. Informacionet e dhëna prej tyre nuk mund të merren dhe as të përdoren në qoftë se këta zyrtarë nuk pyeten si dëshmitarë lidhur me informacionin. 6. Kur informatorët pranojnë të dëshmojnë, dëshmia merret duke respektuar rregullat mbi ruajtjen e fshehtësisë së identitetit të tyre. Zbatohen, për aq sa është e mundur, parashikimet e neneve 165/a dhe 361/b të këtij Kodi."