Neni 399-6
"Gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës ose kërkesëpadisë (Shtuar me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017) 1. Kërkesa për konstatimin e shkeljes dhe përshpejtimin e procedurave i drejtohet gjykatës kompetente, sipas llojit të mosmarrëveshjes penale, civile ose administrative si më poshtë: a) në rastet kur çështja, në të cilën pretendohet të ketë shkelje, është duke u gjykuar në gjykatën e shkallës së parë, kërkesa shqyrtohet nga gjykata e apelit, në juridiksionin e të cilës ndodhet gjykata e shkallës së parë; b) në rastet kur çështja në të cilën pretendohet të ketë shkelje, është duke u gjykuar në gjykatat e apelit, kërkesa shqyrtohet nga kolegji përkatës i Gjykatës së Lartë; c) në rastet kur çështja në të cilën pretendohet të ketë shkelje, është duke u gjykuar në Gjykatën e Lartë, kërkesa shqyrtohet nga një kolegj tjetër i Gjykatës së Lartë; ç) në rastet kur çështja, në të cilën pretendohet të ketë shkelje, është në procedurë ekzekutimi, kërkesa gjykohet nga gjykata e shkallës së parë, kompetente për ekzekutimin, sipas rregullave në fuqi. 2. Kur ka një vendim të formës së prerë për konstatimin e shkeljes dhe përshpejtimin e procedurës, subjekti kërkues mund të paraqesë padi për shpërblimin e dëmit, sipas pikës 3 të këtij neni. 3. Kërkesëpadia për shpërblimin e dëmit i drejtohet gjykatës civile të shkallës së parë ku ka qendrën organi ndaj të cilit është konstatuar shkelja. Padia parashkruhet brenda 6 muajve nga konstatimi i shkeljes me vendim të formës së prerë."