Neni 957
"Mbarimi dhe zgjidhja e kontratës së agjencisë Kontrata e agjencisë me kohë të caktuar kur vazhdon të zbatohet nga palët edhe pas mbarimit të kohës, shndërrohet në kontratë me afat të pacaktuar. Nëse kontrata e agjencisë është me kohë të pacaktuar, secila nga palët mund të tërhiqet nga kjo kontratë, duke njoftuar paraprakisht palën tjetër brenda një afati të caktuar. Afati i njoftimit paraprak nuk mund të jetë më i shkurtër se një muaj për vitin e parë të kohëzgjatjes së kontratës, dy muaj për vitin e dytë të filluar, tre muaj për vitin e tretë të filluar, 4 muaj për vitin e katërt, 5 muaj për vitin e pestë dhe 6 muaj për vitin e gjashtë dhe për të gjitha vitet në vazhdim. Nëse palët merren vesh për afate paralajmërimi më të gjata, afati i paralajmërimit që duhet të respektojë pala porositëse nuk duhet të jetë më i shkurtër se afati që duhet të respektojë agjenti. Përveç kur me marrëveshje është caktuar ndryshe nga palët, mbarimi i afatit të paralajmërimit duhet të përkojë me ditën e fundit të muajit kalendarik. Të njëjtat rregulla zbatohen dhe për kontratën e agjencisë me kohë të përcaktuar, të shndërruar në kontratë me kohë të papërcaktuar, me kushtin që në llogaritjen e afatit të paralajmërimit duhet të mbahet parasysh afati i mëparshëm. Në mbarim të kontratës së agjencisë, porositësi detyrohet t’i paguajë agjentit një shpërblim në masën dhe nëse: a) agjenti ka siguruar klientë të rinj për palën porositëse ose i ka zhvilluar dukshëm kontratat me klientët ekzistues dhe pala porositëse ka ende përfitime të konsiderueshme që rrjedhin nga kontratat me këta klientë; b) pagesa e këtij shpërblimi është e drejtë, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, sidomos shpërblimin që agjenti tregtar humbet dhe që rezultojnë nga veprimet me këta klientë, si dhe nga kufizimi i aktiviteteve të tij profesionale që i detyrohen ekzistencës së një klauzole të moskonkurrencës. Shuma e shpërblimit nuk mund të tejkalojë një vlerë të barabartë me shpërblimin vjetor të llogaritur nga mesatarja vjetore e shpërblimeve të marra nga agjenti tregtar gjatë pesë viteve të fundit. Nëse kontrata përfshin një afat më të shkurtër se pesë vjet, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e periudhës së kontratës. Përfitimi i shpërblimit nuk e përjashton agjentin nga e drejta për shpërblimin e mundshëm të dëmeve. Agjenti tregtar ka të drejtë për shpërblimin e dëmit që ka pësuar si rezultat i përfundimit të marrëdhënieve me palën porositëse. Ky dëm rezulton veçanërisht kur mbarimi i kontratës ka ndodhur në kushte: a) të cilat shmangin agjentin tregtar nga shpërblimi që mund të kishte fituar me përmbushjen në mënyrën e duhur të kontratës, duke i siguruar në të njëjtën kohë porositësit përfitime të konsiderueshme të lidhura me veprimtarinë e agjentit tregtar; dhe/ose b) të cilat nuk i kanë mundësuar agjentit që të rimbursojë kostot dhe shpenzimet që ka bërë për përmbushjen e kontratës, sipas udhëzimeve të porositësit. E drejta për shpërblim lind, gjithashtu, edhe kur kontrata e agjencisë përfundon si rezultat i vdekjes së agjentit tregtar dhe mund të kërkohet nga trashëgimtarët e tij. Agjenti tregtar humbet të drejtën për shpërblim nëse, brenda një viti nga mbarimi i kontratës, nuk i komunikon porositësit qëllimin për të mbrojtur të drejtat e tij."