Neni 58
"Të drejtat e viktimës së veprës penale (Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002 dhe ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Viktima e veprës penale ka të drejtë: a) të kërkojë ndjekjen penale të fajtorit; b) të përfitojë kujdes mjekësor, ndihmë psikologjike, këshillim dhe shërbime të tjera të ofruara nga autoritetet, organizatat ose institucionet përgjegjëse për ndihmën ndaj viktimave të veprës penale; c) të komunikojë në gjuhën e saj dhe të ndihmohet nga një përkthyes, interpretues i gjuhës së shenjave ose lehtësues i komunikimit për personat me aftësi të kufizuar në të folur dhe në të dëgjuar; ç) të zgjedhë mbrojtës dhe, kur është rasti, të përfitojë ndihmë juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi; d) të kërkojë në çdo kohë informacion për gjendjen e procedimit, si dhe të njihet me aktet e provat, pa cenuar parimin e sekretit hetimor; dh) të kërkojë marrjen e provave, si dhe të parashtrojë kërkesa të tjera përpara organit procedues; e) të informohet për arrestimin e të akuzuarit dhe lirimin e tij, në kushtet e caktuara në këtë Kod; ë) të njoftohet për mosfillimin e procedimit, pushimin e çështjes, fillimin dhe përfundimin e gjykimit; f) të bëjë ankim në gjykatë kundër vendimit të prokurorit për të mos filluar procedimin dhe vendimit të prokurorit ose gjyqtarit të seancës paraprake për të pushuar akuzën ose çështjen; g) të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe të pranohet si paditës civil në procesin penal; gj) të përjashtohet, në kushte të caktuara me ligj, nga pagimi i çdo shpenzimi për marrjen e akteve dhe tarife gjyqësore për paraqitjen e kërkesë-padisë që lidhen me statusin e viktimës së veprës penale; h) të thirret në seancën paraprake dhe në seancën e parë gjyqësore; i) të dëgjohet nga gjykata, edhe kur asnjëra nga palët nuk ka kërkuar thirrjen e saj si dëshmitar; j) të ushtrojë të drejta të tjera të parashikuara nga ky Kod. 2. Organi procedues njofton menjëherë viktimën për të drejtat e përmendura në paragrafin 1, të këtij neni, dhe mban procesverbal për njoftimin e tyre. 3. Viktima që nuk ka zotësi për të vepruar i ushtron të drejtat e saj nëpërmjet përfaqësuesit ligjor ose kujdestarit të tij, përveçse kur kjo nuk është në interesin e viktimës. Kur vëren papajtueshmëri mes interesave të viktimës dhe atyre të përfaqësuesit ligjor ose kujdestarit, gjykata cakton një kujdestar të posaçëm, në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes. 4. Trashëgimtarët e viktimës kanë të drejtat e parashikuara në shkronjat “a”, “e”, “ë”, “f ”, “g” dhe “j”, të paragrafit 1, të këtij neni. Nëse trashëgimtari i viktimës është i mitur, ai përfaqësohet nga kujdestari ligjor."