Neni 515
"Masat shtrënguese (Shtuar fjali në pikën 1 dhe 3 e ndryshuar fjalë në pikën 2 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Me kërkesën e prokurorit, gjykata kompetente për njohjen e një vendimi të huaj mund të vendosë një masë shtrënguese ndaj të dënuarit që ndodhet në territorin shqiptar. Në caktimin e masave shtrënguese respektohen dispozitat e titullit V, të këtij Kodi, për aq sa mund të zbatohen. 2. Gjykata, brenda tre ditëve nga ekzekutimi i masës shtrënguese, merr masa për identifikimin e personit dhe i njofton menjëherë atij të drejtën për të patur mbrojtës. 3. Masa shtrënguese e vendosur në bazë të këtij neni revokohet kur nga fillimi i ekzekutimit të saj kanë kaluar tre muaj pa u dhënë vendimi i njohjes nga gjykata e rrethit gjyqësor ose gjashtë muaj pa marrë vendimi formën e prerë. Nëse bëhet ankim në gjykatën e apelit apo Gjykatën e Lartë, masa shtrënguese revokohet nëse gjykimi nuk ka përfunduar brenda 3 muajve nga marrja e akteve respektivisht për secilën gjykatë. 4. Revokimi dhe zëvendësimi i masës shtrënguese vendosen nga gjykata e rrethit gjyqësor. 5. Kopja e vendimit të dhënë nga gjykata u njoftohet, pas ekzekutimit, prokurorit, të dënuarit nga gjykata e huaj dhe mbrojtësit të tij, të cilët mund të bëjnë ankim në gjykatën e apelit."