Neni 49
"Mbrojtja e detyrueshme (Ndryshuar titulli dhe pikat 1, 2, 3, 5, 7 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Organi procedues i siguron menjëherë një mbrojtës të paguar nga shteti të pandehurit që nuk ka zgjedhur mbrojtës ose ka mbetur pa të kur: a) është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç; b) nuk dëgjon dhe nuk flet; c) është me aftësi të kufizuara, që e pengojnë për të realizuar vetë të drejtën e mbrojtjes; ç) është akuzuar për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënim në maksimum jo më pak se 15 vjet me burgim; d) akuzohet për një vepër penale, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të nenit 75/a, të këtij Kodi; dh) është deklaruar i ikur ose në mungesë, me vendim gjykate; e) merret në pyetje personi i arrestuar ose i ndaluar; ë) në rastet e parashikuara nga paragrafi 5, i nenit 205, ose paragrafi 1, i nenit 296, të këtij Kodi; f) në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji. 2. Nëse ekzistojnë arsyet për mbrojtje të detyrueshme, sipas këtij neni, organi procedues i cakton menjëherë një mbrojtës të pandehurit. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin në të gjitha fazat e procedimit, për aq kohë sa ekzistojnë kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. 3. Mbrojtësi i caktuar, sipas këtij neni, zgjidhet nga organi procedues nga lista e vënë në dispozicion nga Dhoma e Avokatisë. 4. Gjykata, prokurori dhe policia gjyqësore, kur duhet të kryejnë një veprim për të cilin parashikohet ndihma e mbrojtësit dhe kur i pandehuri është pa mbrojtës, njoftojnë për këtë veprim mbrojtësin e caktuar. 5. Kur kerkohet prania e mbrojtesit dhe mbrojtesi i zgjedhur ose i caktuar nuk eshte siguruar, nuk eshte paraqitur ose e ka lene mbrojtjen, gjykata ose prokurori zbaton paragrafin 4, të nenit 350, të këtij Kodi. Nëse mungesa e tij është e përligjur, gjykata ose prokurori mund të caktojnë si zevendesues nje mbrojtes tjeter, i cili ushtron te drejtat dhe merr persiper detyrimet e mbrojtesit. 6. Mbrojtësi i caktuar mund të zëvendësohet vetëm për shkaqe të përligjura. Ai i pushon funksionet kur i pandehuri zgjedh mbrojtësin e tij. 7. Kur mbrojtja nuk mund të sigurohet sipas kësaj dispozite dhe pikës 3, të nenit 49, mbrojtja garantohet nga institucionet që administrojnë ndihmën juridike falas, sipas legjislacionit në fuqi."