Neni 471
"Mënyra e procedimit nga gjykata (Pika 5 numërohet pika 6 e shtuar pika 5, me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Gjykata procedon me kërkesën e prokurorit, të interesuarit ose të mbrojtësit. 2. Kur kërkesa është haptazi e pabazuar ose përsëritje e një kërkese të rrëzuar, të mbështetur mbi të njëjtat shkaqe, gjykata, pasi dëgjon prokurorin e deklaron atë të papranueshme me vendim, i cili i njoftohet brenda pesë ditëve të interesuarit. Kundër vendimit mund të bëhet ankim. 3. Me përjashtim të rasteve të parashikuara nga paragrafi 2, gjykata cakton datën e seancës dhe lajmëron palët dhe mbrojtësit, të paktën dhjetë ditë para seancës. 4. Seanca zhvillohet me pjesëmarrjen e detyrueshme të prokurorit dhe të mbrojtësve. I interesuari, kur e kërkon, dëgjohet personalisht ose me letërporosi. 5. Kur kërkuesi nuk paraqitet në seancë pa ndonjë shkak të arsyeshëm, megjithëse ka dijeni rregullisht për datën dhe orën e saj, heq dorë nga kërkesa, ose ndryshon objektin e saj, gjykata e deklaron atë të papranueshme. 6. Gjykata merr vendim, i cili u njoftohet palëve edhe mbrojtësve. Kundër vendimit mund të bëhet ankim, por ai nuk e pezullon ekzekutimin, përveçse kur gjykata që e ka dhënë vendos ndryshe."