Neni 450
"Rastet e rishikimit (Shtuar fjalë në shkronjën “b” e shkronjat “d”, “dh” dhe “e” në pikën 1 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Rishikimi mund të kërkohet: a) kur faktet e vëna në themel të vendimit nuk pajtohen me ato të një vendimi tjetër të formës së prerë; b) kur vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës civile ose administrative, i cili është revokuar më pas; c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar; ç) kur vërtetohet se vendimi është dhënë si pasojë e falsifikimit të akteve të gjykimit ose të një fakti tjetër të parashikuar nga ligji si vepër penale. d) kur shkaku për rishikimin e vendimit të formës së prerë rezulton nga një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e bën të domosdoshëm rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda 6 muajve nga njoftimi i vendimit; dh) kur ekstradimi i të dënuarit të gjykuar në mungesë jepet me kushtin e shprehur të rigjykimit të çështjes. Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data kur personi është ekstraduar. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet; e) kur personi është gjykuar në mungesë sipas nenit 352 të këtij Kodi dhe kërkon rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes dijeni. Kërkesa e paraqitur brenda afatit nuk mund të refuzohet."