Neni 406-b
"Vendimi për miratimin e urdhrit penal 1. Gjykata e shqyrton kërkesën pa praninë e palëve dhe vendos brenda dhjetë ditëve nga depozitimi i saj. Vendimi për miratimin e urdhrit penal arsyetohet në mënyrë të përmbledhur dhe përmban: a) gjenealitetet e të pandehurit; b) parashtrimin e faktit dhe cilësimin juridik të veprës penale; c) burimet e provës dhe faktet që ato u referohen; ç) masën e dënimit me gjobë, modalitetet e ekzekutimit të saj dhe llojin e dënimit plotësues të caktuar; d) të drejtën e të pandehurit për të kundërshtuar vendimin e gjykatës, si dhe afatin brenda të cilit ky vendim mund të kundërshtohet; dh) disponimet për provat materiale dhe sendet që i përkasin veprës penale; e) datën dhe nënshkrimin e gjyqtarit. 2. Gjykata nuk mund të ndryshojë dënimet e caktuara nga prokurori në urdhrin penal, por duke çmuar rrethanat e gjendjes ekonomike të të pandehurit, në fazën e ekzekutimit, me kërkesën e të dënuarit, mund të zbatojë dispozitat e paragrafëve 8 e vijues të nenit 34 të Kodit Penal. 3. Vendimi për miratimin e urdhrit penal nuk shkakton pasojat e parashikuara nga neni 70 i këtij Kodi. Ai nuk mund të ngarkojë të dënuarin me pagimin e shpenzimeve të procedimit. 4. Dënimi i dhënë nuk shënohet në vërtetimin e gjendjes gjyqësore, përveç rastit kur i dënuari është përsëritës."