Neni 361
"Pyetja e dëshmitarëve (Shtuar pika “7 “ me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004; shtuar fjalë në pikën 3 dhe pika 8, shfuqizuar pika 5 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Pyetja e dëshmitarëve bëhet fillimisht nga prokurori ose nga mbrojtësi a përfaqësuesi që ka kërkuar pyetjen. Më pas pyetja vazhdon nga palët, sipas radhës. 2. Kush ka kërkuar pyetjen mund të bëjë pyetje edhe mbasi mbarojnë palët e tjera. 3. Palës që ka kërkuar pyetjen i ndalohen pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose që synojnë në sugjerimin e përgjigjeve. 4. Për të ndihmuar kujtesën, dëshmitari mund të lejohet nga kryetari që të shikojë dokumentet e hartuara prej tij. 5. Shfuqizuar. 6. Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit. 7. Dëshmitari mund të pyetet në distancë, brenda ose jashtë vendit, me anë të lidhjes audiovizive, duke respektuar rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dispozitat e këtij Kodi. Personi i autorizuar nga gjykata qëndron në vendin ku ndodhet dëshmitari dhe bën vërtetimin e identitetit të tij, si dhe kujdeset për zhvillimin e rregullt të marrjes në pyetje e për zbatimin e masave të mbrojtjes. Këto veprime ai i pasqyron në procesverbal. 8. Viktimat e veprave penale seksuale, veprave të trafikimit ose veprave të kryera brenda familjes, kur e kërkojnë, mund të pyeten si dëshmitarë nëpërmjet mjeteve audio dhe audiovizive."