Neni 331
"Kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq (Ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Kur nuk procedon sipas neneve 328, 329/a, 400, 406/a ose 406/dh të Kodit, prokurori kërkon dërgimin e çështjes në gjyq. 2. Kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq është e pavlefshme kur nuk respektohen përcaktimet e paragrafëve 2, 3 dhe 4, të nenit 327, të këtij Kodi. 3. Kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq përmban: a) gjenealitetet e të pandehurit dhe të viktimës, kur është e mundur, si dhe çdo element tjetër që shërben për identifikimin e tyre; b) parashtrimin e faktit penal dhe cilësimin juridik të veprës penale; c) burimet e provës dhe faktet që ato u referohen; ç) kërkimin që gjyqtari i seancës paraprake të vendosë dërgimin e çështjes në gjyq; d) datën dhe nënshkrimin e prokurorit. 4. Kërkesës së prokurorit i bashkëlidhen aktet dhe provat që përmban fashikulli i hetimeve, duke përfshirë edhe aktet e kryera para gjyqtarit të hetimeve paraprake, si dhe provat materiale, përveç rastit kur ato ruhen në vend tjetër."