Neni 328
"Pushimi i akuzës ose çështjes (Shtuar pika 1 me ligjin 8460, datë 11.2.1999; ndryshuar titulli dhe pika 1 e shtuar pika 2 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Në përfundim të hetimeve paraprake, kur procedohet për kundërvajtje penale, prokurori vendos pushimin e akuzës ose çështjes kur: a) del qartë se fakti nuk ekziston; b) fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale; c) viktima nuk ka bërë ankim ose heq dorë nga ankimi në rastet që procedimi fillon me kërkesën e tij; ç) personi nuk mund të merret si i pandehur ose nuk mund të dënohet; d) ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose për të cilin ndjekja penale nuk duhej të fillohej ose nuk duhet të vazhdojë; dh) del se i pandehuri nuk e ka kryer veprën ose nuk provohet që e ka kryer ai; e) me vendim të formës së prerë i pandehuri është gjykuar për të njëjtën vepër penale; ë) i pandehuri vdes; f) në rastet e tjera të parashikuara me ligj. 2. Prokurori, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit të pushimit, njofton të pandehurin, mbrojtësin e tij, viktimën ose trashëgimtarët e saj kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, si dhe personin që ka bërë kallëzim ose ankim, duke u bërë të ditur të drejtën për t’u njohur me aktet, për të marrë kopje të tyre dhe për të paraqitur ankim në gjykatë."