Neni 325
"Ankimi për zgjatjen e afatit të hetimeve (Ndryshuar fjalë në pikën 2, ndryshuar pika 3 dhe shtuar pika 3/1 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. I pandehuri dhe viktima kanë të drejtë, brenda dhjetë ditëve nga njoftimi, të bëjnë ankim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve. 2. Ankimi shqyrtohet nga gjykata brenda dhjetë ditëve, duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, viktima dhe prokurori. 3. Kur ankimi pranohet dhe hetimet nuk duhet të vazhdojnë, gjykata urdhëron prokurorin që t’i përfundojë ato brenda një afati jo më të gjatë se 15 ditë. 3/1. Kur ankimi pranohet, por hetimet duhet të vazhdojnë, gjykata urdhëron prokurorin t’i përfundojë ato brenda një afati të caktuar prej saj. Provat e marra brenda këtij afati janë të përdorshme. 4. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim, i cili nuk pezullon zbatimin e tij."