Neni 304
"Veprimtaria hetimore e prokurorit (Shtuar fjalia e dytë në pikën 1 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Prokurori drejton veprimtarinë hetimore dhe kryen vetë çdo veprim hetimor që e çmon të nevojshëm. Ai kryen hetime edhe për verifikimin e fakteve ose rrethanave në favor të personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. 2. Ai mund të kërkojë nga policia gjyqësore kryerjen e veprimeve të deleguara posaçërisht, përfshirë edhe marrjen në pyetje të të pandehurit dhe ballafaqimet, në të cilat merr pjesë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij. Në këtë rast policia gjyqësore respekton dispozitat për caktimin dhe pjesëmarrjen e mbrojtësit në veprimet hetimore. 3. Për veprime të veçanta që duhen kryer në një rreth tjetër, kur nuk mendon të procedojë personalisht, mund të delegojë, sipas kompetencës lëndore përkatëse, prokurorin e atij rrethi. Kur ka arsye të ngutshme ose shkaqe të rëndësishme, prokurori i deleguar ka të drejtë të kryejë me iniciativën e tij çdo veprim të domosdoshëm për qëllimet e hetimit."