Neni 255
"Detyrat e policisë gjyqësore në rastet e arrestimit ose ndalimit (Ndryshuar pika “1” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002) (Shtuar fjalia në pikën 1 e fjalë në pikën 4, shtuar pika 3 dhe ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore që kanë kryer një arrestim ose ndalim ose kanë marrë në dorëzim të arrestuarin, njoftojnë menjëherë prokurorinë e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. Ata i bëjnë të ditur të arrestuarit ose të ndaluarit se nuk ka asnjë detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarëdo që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore i bëjnë të ditur të ndaluarit ose të arrestuarit edhe të drejtën që ai ka për të zgjedhur mbrojtës dhe njoftojnë menjëherë mbrojtësin e zgjedhur ose, kur është rasti, atë të caktuar nga prokurori. Data, ora dhe emri i oficerit të policisë gjyqësore që ka kyer arrestimin ose ndalimin shënohet në procesverbal. 2. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore informojnë menjëherë personin e arrestuar për arsyet e arrestimit ose ndalimit dhe për të drejtat e tij, sipas nenit 34/b, të këtij Kodi, përveçse kur kjo është absolutisht e pamundur për shkak të rrethanave. 3. Kur i arrestuari ose i ndaluari është i sëmurë ose i mitur, prokurori mund të urdhërojë që ai të mbahet në ruajtje në banesën e tij ose në një vend tjetër të ruajtur. Kur të arrestuarit ose të ndaluarit nuk i është dhënë letra e të drejtave, ajo i jepet menjëherë pas mbërritjes në dhomat e paraburgimit. Nëse i arrestuari ose i ndaluari nuk mund të lexojë, letra e të drejtave i lexohet nga njëri prej të pranishmëve. Ky fakt pasqyrohet në procesverbal kundrejt nënshkrimit. 4. Policia gjyqësore, me pëlqimin e të arrestuarit ose të ndaluarit, duhet të lajmërojë pa vonesë familjarët. Kur i arrestuari ose i ndaluari është i mitur lajmërohet detyrimisht prindi ose kujdestari si dhe zbatohen rregullat e Kodit të Drejtësisë për të Miturit."