Neni 249
"Ankimi kundër masave të sigurimit (Ndryshuar pikat 1, 3, 5, 9 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002; ndryshuar pika 1, shtuar pika 1/1, ndryshuar, hequr dhe shtuar fjalë në pikën 3, ndryshuar e shtuar fjalë në pikën 5, 9 dhe 10, shtuar fjalia e dytë në pikën 6 e fjalë në pikën 8, me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Kundër vendimit të gjykatës për caktimin e masës së sigurimit, sipas nenit 244 të këtij Kodi, lejohet ankim brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit të gjykatës. 1/1. Kundër vendimit të gjykatës për vazhdimin, revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurimit, sipas nenit 248 të këtij Kodi, prokurori, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund të bëjnë ankim brenda pesë ditëve. 2. Për të pandehurin e ikur afati fillon të ecë nga data e njoftimit të bërë sipas nenit 141. 3. Ankimi paraqitet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin, e cila detyrohet që brenda 3 ditëve nga realizimi i njoftimeve të dorëzojë aktet në gjykatën që do të shqyrtojë ankimin. 4. Data e caktuar për seancën i njoftohet prokurorit, të pandehurit dhe mbrojtësit të tij të paktën tri ditë përpara. 5. Ankimi shqyrtohet brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e akteve. 6. Gjykata vendos, sipas rastit, shfuqizimin, ndryshimin ose miratimin e vendimit, edhe për arsye të ndryshme nga ato që janë parashtruar ose nga ato që tregohen në pjesën arsyetuese të vendimit. Gjykata depoziton vendimin e arsyetuar brenda 10 ditëve . 7. Kur vendimi nuk shpallet ose nuk zbatohet brenda afatit të caktuar, akti në bazë të të cilit është marrë masa shtrënguese e humbet fuqinë. 8. Kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet rekurs për shkelje të ligjit në Gjykatën e Lartë , brenda kompetencës së saj . 9. Me kalimin e gjashtë muajve nga zbatimi i vendimit të arrestit, i pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund të bëjnë ankim në gjykatën e apelit për kohëzgjatjen e paraburgimit. 10. Gjykata e Apelit vendos brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga marrja e akteve."