Neni 201-a
"Marrja me detyrim e kampionëve biologjikë ose kryerja e procedurave mjekësore të detyruara (Shtuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Marrja me detyrim e kampionëve biologjikë nga i pandehuri ose persona të tjerë, apo kryerja e një procedure mjekësore të detyruar behet vetëm në përputhje me parashikimet e këtij neni. 2. Prokurori, pasi merr pëlqimin e të pandehurit ose personave të tjerë, mund të kërkojë marrjen e kampionëve biologjikë, me qëllim përcaktimin e profilit të AND-së. I njëjti parashikim zbatohet edhe për kryerjen e procedurës mjekësore. 3. Pëlqimi i personit jepet me shkrim. Personi, të cilit i merret kampioni ose i cili do i nënshtrohet procedurës mjekësore, nënshkruan përpara prokurorit një deklaratë, nëpërmjet së cilës jep pëlqimin dhe konfirmon se është njoftuar në lidhje me arsyen e marrjes së kampionëve biologjikë ose kryerjes së procedurës mjekësore. 4. Për personin e mitur pëlqimin e jep prindi ose kujdestari ligjor. 5. Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, gjykata mund të vendosë që marrja e kampionëve biologjikë ose procedura mjekësore të kryhet pa pëlqimin e personit, kur është e nevojshme dhe duke kufizuar lirinë e tij, nëse nuk dëmtohet shëndeti i tij dhe nëse është e domosdoshme për të provuar faktet në procedim. Nuk mund të kryhen procedura mjekësore që vënë në rrezik jetën e personit, integritetin fizik ose shëndetin e tij, që mund të dëmtojnë fëmijën e palindur ose që sipas protokolleve mjekësore, mund të shkaktojnë vuajtje të pa përligjura. 6. Vendimi i gjykatës mbi marrjen e kampionit biologjik ose procedurën mjekësore duhet të përmbajë: a) të dhënat personale të personit që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës mjekësore ose informacionin e nevojshëm për identifikim; b) veprën penale për të cilën ka nisur procedimi dhe një përshkrim të përmbledhur të fakteve përkatëse; c) një përshkrim të detajuar të llojit të kampionit biologjik që do të merret ose të procedurës mjekësore që do të kryhet, si edhe arsyet përse prova nuk mund të merret në mënyrë tjetër; ç) të drejtën e personit që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës tjetër mjekësore të ndihmohet nga një mbrojtës ose një person i besuar; d) vendin, datën, kohën dhe mënyrën e saktë të marrjes së kampionit biologjik ose kryerjes së procedurës tjetër mjekësore; dh) njoftimin që personi që i nënshtrohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës tjetër mjekësore është i detyruar të paraqitet dhe paralajmërimin për shoqërim të detyrueshëm nëse nuk paraqitet pa shkaqe të ligjshme; e) nëse i pandehuri ose personi ka dhënë pëlqimin për marrjen e kampionit biologjik ose procedurës mjekësore, prokurori e bashkëngjit pëlqimin me shkrim në dosje. 7. Të paktën tre ditë përpara marrjes së kampionit biologjik ose kryerjes së procedurës mjekësore, vendimi i parashikuar në paragrafin 5, të këtij neni, i njoftohet personit përkatës. 8. Kur personi që i nënshtohet marrjes së kampionit biologjik ose procedurës mjekësore është i pandehuri ose viktima, vendimi i njoftohet të pandehurit, avokatit mbrojtës dhe viktimës. Në rast se personi nuk është i pandehuri apo viktima, vendimi i njoftohet personit, të pandehurit, viktimës dhe avokatit të tij. Në rastin e të miturit, vendimi u njoftohet prindërve ose kujdestarit të tij ligjor. 9. Në rast se personi që i nënshtohet procedurave të mësipërme nuk paraqitet në vendin e caktuar pa arsye të ligjshme, prokurori menjëherë mund t’i kërkojë gjykatës të urdhërojë shoqërimin e tij të detyrueshëm dhe të vendosë marrjen e kampionit ose kryerjen e procedurës mjekësore. Policia gjyqësore ekzekuton urdhrin e gjykatës. 10. Në raste të ngutshme, kur ka arsye për të besuar se vonesa mund të shkaktojë humbjen ose dëmtimin e vërtetësisë së provës, vendimi merret nga prokurori, i cili mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të personit. 11. Brenda 48 orëve nga kryerja e veprimit, prokurori i kërkon gjykatës vleftësimin e urdhrave të nxjerrë sipas paragrafit 9 të këtij neni. Gjykata vleftëson veprimet e prokurorit brenda 48 orëve, duke njoftuar prokurorin dhe mbrojtësin. 12. Kur kampioni biologjik ose procedura mjekësore merret ose kryhet tek i dyshuari ose i pandehuri, prania e mbrojtësit është e detyrueshme. 13. Në rast të marrjes së kampionit biologjik ose kryerjes së procedurës mjekësore mbi të miturin, prania e prindit, kujdestarit ligjor ose e një personi të besuar prej tij është e detyrueshme. 14. Rezultatet e analizave të kampionëve biologjikë ose procedurës mjekësore të marrë në shkelje të parashikimeve të këtij neni janë të papërdorshme."