Neni 171
"Njohja e personave (Ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Kur lind nevoja për të proceduar në njohjen e një personi, organi procedues fton atë që duhet të bëjë njohjen që të përshkruajë personin, duke treguar të gjitha shenjat që mban mend dhe e pyet nëse ka qenë thirrur më parë për të bërë njohjen, si dhe për rrethana të tjera që mund të ndikojnë në vërtetësinë e njohjes. 2. Në procesverbal shënohen veprimet e parashikuara nga paragrafi 1 dhe deklarimet e bëra nga personi që bën njohjen. Kur është e mundur, procedura e njohjes fotografohet ose regjistrohet. 3. Kur njohja bëhet nga një i mitur ose ndaj një të mituri, prania e psikologut është e detyrueshme. Organi procedues kryen njohjen në një mënyre të tillë që personi që do të njihet të mos e shohë ose dëgjojë të miturin. 4. Njohja bëhet në praninë e mbrojtësit. 5. Mosrespektimi i rregullave të parashikuara nga ky nen përbën shkak për pavlefshmërinë e njohjes."