Neni 130
"Çmuarja e pavlefshmërisë relative (Ndryshuar titulli, shkronja “b” e pikës 1 dhe pika 4, shtuar shkronja “c” në pikën 1, me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe me ligj, pavlefshmëria nuk merret parasysh: a) kur pala e interesuar ka hequr dorë shprehimisht nga kundërshtimi i saj ose ka pranuar pasojat e aktit; b) kur pala ka përfituar nga e drejta, ushtrimin e së cilës akti i pavlefshëm synon të mbrojë; c) kur është shkaktuar nga vetë pala, ose kur ajo nuk ka asnjë interes në ngritjen e saj. 2. Pavlefshmëria e lajmërimeve, komunikimeve dhe njoftimeve nuk merret parasysh në qoftë se pala e interesuar është paraqitur ose ka refuzuar të paraqitet. 3. Pala që deklaron se është paraqitur vetëm për të ngritur parregullsinë e aktit ka të drejtën e një afati, jo më pak se tri ditë, për t’u mbrojtur. 4. Gjatë hetimeve paraprake çmuarja e pavlefshmërisë bëhet nga prokurori dhe nëse nuk kryhet nga ky i fundit, çmohet nga gjyqtari i seancës paraprake."