Neni 494
"Kërkesa për rishikim dhe rastet e rishikimit (Ndryshuar titulli, shtuar paragraf me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001; shtuar shkronja “ë” me ligjin nr. 10 052, datë 29.12.2008) Kërkesa për rishikim është akti me të cilin kërkohet rishikimi i një vendimi të formës së prerë të gjykatës. Pala e interesuar mund të kërkojë rishikimin e një vendimi që ka marrë formë të prerë, kur: a) zbulohen rrethana të reja apo prova të reja me shkresë që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin nga pala gjatë shqyrtimit të saj; b) vërtetohet se thëniet e dëshmitarëve apo mendimet e ekspertëve, mbi të cilat është bazuar vendimi, kanë qenë të rreme; c) palët ose përfaqësuesit e tyre apo ndonjë anëtar i trupit gjykues, që ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në dhënien e vendimit; ç) vërtetohet se vendimi i dhënë është bazuar në dokumente të falsifikuara; d) vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës ose të një institucioni tjetër që më pas është prishur; e) vendimi është në kundërshtim të hapur me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak. ë) kur Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut gjen shkelje të konventës europiane “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore” dhe të protokolleve të saj, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë."