Neni 493
"Rigjykimi (Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001; shtuar dy paragrafë pas paragrafit të parë me ligjin nr. 44/2021, datë 23.3.2021) Gjykata e shkallës së parë apo gjykata e apelit kur dërgohet çështja për rigjykim zbaton të njëjtat rregulla procedurale të parashikuara në atë shkallë gjykimi. Gjykata e Lartë, kur dërgon çështjen për rigjykim, në vendim përcakton se cila pjesë e vendimit ose gjykimit të faktit prishet dhe për cilën pjesë të mosmarrëveshjes duhet të zhvillohet rigjykimi. Rigjykimi i çështjes pas prishjes së vendimit kufizohet vetëm në shkaqet e prishjes së vendimit. Pjesët e pacenuara të vendimit apo gjykimit nga gjykata më e lartë nuk rishqyrtohen. Detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që rishqyrton çështjen, e cila, pasi zbaton këto detyra, vendos sipas bindjes së saj. Në rigjykim nuk mund të ngrihen pavlefshmëritë e vërtetuara në gjykimet e mëparshme. Në rigjykim palët nuk mund të bëjnë pretendime të ndryshme nga ato të pranuara në vendimin e Gjykatës së Lartë, përveç nevojës për të arritur në përfundime që dalin nga vendimi i Gjykatës së Lartë. TITULLI III RISHIKIMI"