Neni 158
"Veprimet paraprake të gjyqtarit të vetëm (Ndryshuar me ligjin nr. 122/2013, datë 18.4.2013 dhe nr. 38/2017, datë 30.3.2017) 1. Gjykata, pasi e vlerëson padinë pa të meta në zbatim të neneve 154/a dhe 156 të këtij Kodi, i kërkon të paditurit të lëshojë deklaratën e mbrojtjes, jo më vonë se 30 ditë nga njoftimi i kërkesëpadisë. Të njëjtat rregulla zbatohen edhe në rastin e paraqitjes së padisë së ndërhyrësit kryesor, ose të kundërpadisë. 2. Gjykata informon të paditurin në lidhje me përmbajtjen e nevojshme të deklaratës së mbrojtjes, sipas pikave 3 dhe 4, të këtij neni, në lidhje me mundësinë për të kërkuar ndihmë ligjore dhe pasojat ligjore në rast moslëshimi të deklaratës së mbrojtjes. 3. Deklarata e mbrojtjes hartohet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë: a) gjykatën përpara së cilës paraqitet deklarata e mbrojtjes; b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, nëse ka. Nëse paditësi ose i padituri është person juridik, emërtimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi; c) tregimin konkret të fakteve, rrethanave, dokumenteve dhe provave të tjera, si dhe prapësimet dhe argumentet për kundërshtimin e padisë, nëse ka. 4. Përveç këtyre kërkesave, i padituri deklaron qartë në/ose bashkëngjitur deklaratës së mbrojtjes: a) të dhënat e kontaktit të tij elektronik ose të përfaqësuesve të tij, nëse ka, të cilat gjykata mund t’i përdorë për ta njoftuar; b) listën e personave që kërkon të thirren në gjykim me cilësinë e dëshmitarit, duke specifikuar saktë emrat e tyre, atësinë, mbiemrin, dhe adresën e tyre të plotë, si dhe faktet që kërkohet të provohen me to; c) provat që kërkohen të merren tek të tretët ose te paditësi, duke përcaktuar arsyet dhe vendndodhjen e provave; ç) llojin e ekspertimit që kërkohet të kryhet gjatë gjykimit; d) emrin, atësinë, mbiemrin ose emërtimin e personit juridik dhe adresën e plotë të personave të tretë që kërkon të thirren në gjykim me këtë cilësi; dh) kundërpadinë, kur kërkohet prej tij ushtrimi i kësaj të drejte, sipas nenit 160 të këtij Kodi. 5. I padituri duhet të informojë gjykatën për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të të dhënave të kontaktit elektronik për vete ose përfaqësuesin e tij. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit. 6. Deklarata e mbrojtjes bashkë me provat dhe aktet e tjera bashkëngjitur i komunikohet palës paditëse nga gjykata. Pala paditëse ka të drejtë të paraqesë prova të tjera, përveç atyre të përcaktuara në kërkesëpadi, vetëm kur ato lidhen me pretendime të reja të të paditurit, të parashtruara në deklaratën e mbrojtjes. 7. Prapësimet dhe provat që mund të ngrihen ose paraqiten vetëm me kërkesë të palëve, nuk pranohen nga gjykata më pas, nëse nuk janë paraqitur së bashku me deklaratën e mbrojtjes."