Neni 154
"(Ndryshuar me ligjet nr. 8812, datë 17.5.2001; nr. 122/2013, datë 18.4.2013 dhe nr. 38/2017, datë 30.3.2017) 1. Kërkesëpadia shkruhet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë: a) gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa; b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë. Nëse paditësi ose i padituri është person juridik, emërtimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi; c) objektin e padisë; ç) tregimin konkret të fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese, të së drejtës mbi të cilat mbështetet padia, si dhe kërkimin konkret të paditësit; d) vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm. 2. Përveç këtyre kërkesave, paditësi në kërkesëpadi duhet të tregojë saktë dhe/ose të bashkëngjisë: a) të dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, ku gjykata mund ta njoftojë; b) listën e personave që kërkon të thirren në gjykim në cilësinë e dëshmitarit, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë, si dhe faktet që kërkohet të provohen me to; c) provat që kërkohen të merren nga i padituri dhe të tretët, duke përcaktuar arsyet dhe vendndodhjen e këtyre provave; ç) llojin e ekspertimit që kërkohet të kryhet gjatë gjykimit; d) emrin, atësinë, mbiemrin ose emërtimin nëse është person juridik dhe adresën e plotë të personave të tretë që kërkon të thirren në gjykim me këtë cilësi; dh) aktin provues të pagimit të tarifës së padisë, sipas ligjit."