Neni 154-a
"Paraqitja e kërkesëpadisë (Shtuar me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001) Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë. Kërkesëpadia mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës. Padia iu caktohet gjyqtarëve me short. Kur kërkesëpadia nuk plotëson kushtet e përmendura në këtë kre, gjyqtari i vetëm ia kthen paditësit në kohën e paraqitjes së saj ose ai njoftohet me shkrim për plotësimin e të metave dhe, pasi të jetë shënuar në padi data e paraqitjes, caktohet një afat për plotësimin e të metave. Deri në këtë datë padia mbetet pa veprime. Kur paditësi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera. Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e kërkesëpadisë mund të bëhet ankim i veçantë. Kur të metat e kërkesëpadisë janë plotësuar në afatin e caktuar, ajo quhet e regjistruar që nga dita që është regjistruar në gjykatë. Në këtë mënyrë veprohet edhe kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të çështjes."