Neni 118-1
"Transkriptimi i procesverbaleve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive (Shtuar me ligjin nr. 122/2013, datë 18.4.2013) Transkriptimi i procesverbaleve të mbajtura me mjete të regjistrimit audio ose audiovizive përgatitet nga sekretari gjyqësor, ose teknikë të kontraktuar nga gjykata dhe që veprojnë nën mbikëqyrjen e sekretarit gjyqësor. Transkriptimi i procesverbalit bëhet në rastet kur: a) kërkohet nga anëtarët e trupit gjykues; b) kërkohet me shkrim nga palët në gjykim ose persona të tjerë të interesuar dhe kjo kërkesë miratohet nga kryetari i seancës gjyqësore, pasi paguhen tarifat e vendosura për këtë qëllim, e cila përcaktohet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë. Transkriptimi i regjistrimit mund të bëhet për të gjitha seancat e një çështjeje, për seanca të veçanta ose për pjesë të shkëputura prej tyre, sipas kërkesës së personit që kërkon transkriptimin. Transkriptimi mund të kërkohet edhe para se gjykata të ketë dhënë vendimin për çështjen. Transkriptimi i bashkëngjitet dosjes gjyqësore pa cenuar vlefshmërinë e procesverbalit të mbajtur sipas nenit 118 të këtij Kodi."