Neni 148-b
"(Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) Prokurori i Përgjithshëm ushtron këto kompetenca: a) përfaqëson akuzën në Gjykatën e Lartë dhe çështjet në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme; b) nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët, me përjashtim të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme; c) siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë, me përjashtim të administratës së Prokurorisë së Posaçme. Krijimi dhe mbarëvajtja e strukturave të teknologjisë së informacionit në prokurori rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave; ç) propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë, me përjashtim të buxhetit të Prokurorisë së Posaçme; d) raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit; dh) ushtron kompetenca të tjera të përcaktuara në ligj."