Neni 147-dh
"(Shtuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) 1. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur: a) mbush moshën e pensionit; b) përfundon mandatin 9-vjeçar; c) jep dorëheqjen; ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/e të Kushtetutës; d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit; dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën. 2. Mbarimi i mandatit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklarohet me vendim të mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 3. Inspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë deri në emërimin e Inspektorit të ri, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”. 4. Pas përfundimit të mandatit, me kërkesë të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kthehet në detyrën që mbante para emërimit ose në një detyrë të përafërt me të."