Neni 140
"(Ndryshuar me ligjin nr.76/2016, datë 22.7.2016) 1. Gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit. 2. Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur: a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës; b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi. 3. Gjyqtari pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor kur: a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje; c) kur fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit. 4. Kundër vendimit të shkarkimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Kushtetuese."