Neni 113
"1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut: a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit të tyre; b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike; c) kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin e funksioneve të tyre; ç) kanë të drejtë të vendosin, në përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre; d) caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin e tyre në pajtim me ligjin; dh) krijojnë simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendorë të nderit; e) ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara organeve të caktuara me ligj. 2. Organet e njësive të qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra. 3. Të drejtat për vetëqeverisje të njësive të qeverisjes vendore mbrohen në gjykatë."