Neni 64
"Lirimi me kusht (Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 10 023, datë 27.11.2008; shtuar fjalët në paragrafin e tretë me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013; ndryshuar me ligjin nr. 36/2017, datë 30.3.2017) I dënuari me burgim mund të lirohet me kusht, nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur i është arritur qëllimit për edukimin e tij, si dhe të ketë vuajtur: - jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundërvajtje penale; - jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në pesë vjet burgim; - jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi mbi 5 vjet deri në maksimumin e parashikuar nga ligji, me përjashtim të parashikimeve në paragrafin 3 të këtij neni. Në masën e dënimit të vuajtur nuk llogaritet koha e përfituar me amnisti ose falje. Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje si dhe për të dënuarit për kryerjen e veprave penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c apo paragrafi i tretë i nenit 100. Lirimi me kusht revokohet nga gjykata, kur i dënuari për një vepër penale të kryer me dashje, gjatë kohës së kushtit, kryen një vepër tjetër penale me dashje, duke u zbatuar dispozitat për bashkimin e dënimeve. Gjykata e urdhëron të dënuarin të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës gjatë periudhës së provës dhe të përmbushë një ose disa nga detyrimet e parashikuara në nenin 60 të këtij Kodi. Kur i dënuari nuk mban kontakte me Shërbimin e Provës ose kur nuk i përmbush detyrimet e parashikuara në nenin 60 të këtij Kodi, të urdhëruara nga gjykata, kjo e fundit vendos zëvendësimin e dënimit të parë me një dënim tjetër, zgjatjen e afatit të mbikëqyrjes gjatë periudhës së provës ose revokimin e vendimin për lirimin para kohe me kusht."