Neni 278
"Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (Shtuar paragrafi I dhe II, me ligjin nr. 8279, datë 15.1.1998; ndryshuar paragrafi I, II dhe III, si dhe shtuar paragrafi IV me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001; ndryshuar me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013; shtuar dhe ndryshuar me ligjin nr. 98, datë 31.7.2014; shtuar dy paragrafë me ligjin nr. 135/2015, datë 5.12.201; shfuqizuar paragrafët i pestë dhe i gjashtë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 9, datë 26.2.2016; ndryshuar me ligjin nr. 82/2016, datë 25.7.2016; ndryshuar paragrafi I me ligjin nr. 44/2019, datë 18.7.2019) Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet më shumë se një herë ose në sasi të mëdha, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Mbajtja e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet. Prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, tregtimi dhe transportimi i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i armëve shpërthyese, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër e parashikuar nga paragrafi i pestë i këtij neni, kur kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Falsifikimi ose fshirja, zhvendosja ose ndryshimi i paligjshëm i shenjave mbi armët dhe municionet luftarake dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet."