Neni 201
"Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës (Ndryshuar me ligjin nr. 44/2019, datë 18.7.2019) Ndotja e ajrit, ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, ndotja në sipërfaqe apo në thellësi e tokës, dëmtimi i rëndë i kafshëve ose i bimëve, nëpërmjet shkarkimit, emetimit ose futjes së rrezatimit jonizues ose të një sasie materialesh në ajër, tokë apo ujë, tej kufirit të normave të lejuara me ligj, dënohen me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur është kryer në zona të mbrojtura posaçërisht me ligj, si zona me vlera mjedisore, kulturore, artistike, historike, arkitektonike apo arkeologjike, ose kur ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë dëmtim të rëndë të ekosistemit, biodiversitetit, të florës ose faunës, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. Kur vepra penale e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e lehtë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga një deri në shtatë vjet. Kur kjo vepër ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e rëndë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë vdekjen e një ose disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet."