Neni 707
"Në qoftë se palët nuk e kanë caktuar çmimin, as nuk janë marrë vesh për mënyrën e caktimit të tij, në mungesë të ndonjë akti të organeve kompetente publike, prezumohet se palët kanë dashur t’i referohen çmimit të zbatuar normalisht nga shitësi në kohën e lidhjes së kontratës. Kur është fjala për sende që kanë çmim burse apo tregu, çmimi caktohet në bazë të listave të tregut të vendit ku do të bëhet dorëzimi, ose nga ato të vendit që është më afër tij. Në qoftë se çmimi është caktuar mbi bazën e peshës së sendeve, në rast dyshimi ai duhet të caktohet në bazë të peshës neto. Palët mund t’ia besojnë caktimin e çmimit një të treti, të emëruar në kontratë ose që mund të emërohet më vonë."