Neni 425
"Kufijtë e shqyrtimit të çështjes (Ndryshuar pika 1, ndryshuar fjalë në shkronjën “c” të pikës 2, shtuar shkronja “ç” e fjalë në pikën 2 dhe 3 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Gjykata e apelit e shqyrton çështjen brenda shkaqeve të ngritura në ankim. Për çështje të ligjit që duhet të shqyrtohen kryesisht, si dhe për shkaqet e ngritura në ankim që nuk bazohen në motive personale, gjykata e apelit shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë apel. 2. Kur apelues është prokurori ose viktima akuzuese, gjykata e apelit: a) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë, të ndryshojë llojin ose ta rrisë masën e dënimit, të ndryshojë masat e sigurimit dhe të marrë çdo masë tjetër që urdhëron ose lejon ligji; b) mund t’i japë dënim atij që është deklaruar i pafajshëm, t’i japë pafajësi për një shkak të ndryshëm nga ai që pranohet në vendimin e apeluar, të marrë masat e treguara në shkronjën “a”; c) mund të zbatojë, të ndryshojë ose të përjashtojë dënimet plotësuese ose dënimet alternative; ç) mund t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë se ai i kërkuar nga prokurori kur çështja është në kompetencën e saj lëndore. Në këtë rast, gjykata riçel shqyrtimin gjyqësor dhe zbaton parashikimet e paragrafit 2, të nenit 375, të këtij Kodi. 3. Kur apelues është vetëm i pandehuri, gjykata nuk mund të caktojë një dënim më të rëndë, të zbatojë një masë sigurimi më të rëndë, t’i japë pafajësisë një shkak më pak të favorshëm nga ai i vendimit të apeluar dhe as t’i japë faktit një cilësim juridik më të rëndë."