NENI.AL
LIBRARIA LIGJORE

Neni 405

"Seanca e gjykimit të shkurtuar (Ndryshuar pika 1, 5, 6 dhe 7, shtuar fjalë në pikën 3 e shtuar pikat 8 dhe 9 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Kur i pandehuri apo mbrojtësi, me autorizim të posaçëm, kanë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar në seancën paraprake, sipas parashikimeve të nenit 332/c, të këtij Kodi, seanca gjyqësore zhvillohet me pjesëmarrjen e prokurorit, të pandehurit, mbrojtësit të tij, viktimës ose trashëgimtarët e saj, kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit, si dhe palëve private. 2. Gjykata bën verifikimet lidhur me legjitimimin e palëve. 3. Kur mbrojtësi i të pandehurit nuk është i pranishëm dhe mbrojtja është e detyrueshme sipas kritereve të përcaktuara në këtë Kod, gjykata cakton si zëvendësues një mbrojtës tjetër. 4. Kur i pandehuri nuk paraqitet në seancë për arsye të përligjura, gjykata cakton datën e seancës së re dhe urdhëron që të lajmërohet i pandehuri. 5. Pasi dëgjon palët mbi kërkesat paraprake, gjykata lexon kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe pyet të pandehurin nëse i qëndron asaj. Kur i pandehuri deklaron se i qëndron kërkesës, gjykata deklaron të hapur shqyrtimin gjyqësor dhe i jep fjalën prokurorit që në mënyrë të përmbledhur të parashtrojë rezultatet e hetimeve paraprake. 6. Pasi dëgjon parashtrimin e prokurorit, në të njëjtën seancë gjykata vendos pranimin e kërkesës për gjykimin e shkurtuar kur çmon se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet. Në të kundërtën refuzon kërkesën dhe vazhdon me gjykim të zakonshëm. Kundër vendimit lejohet ankim së bashku me vendimin përfundimtar. 7. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet nëse i pandehuri apo mbrojtësi i tij ngrenë pretendime mbi vlefshmërinë e akteve apo përdorshmërinë e provave të grumbulluara gjatë hetimit paraprak, apo kur kërkojnë marrjen e provave të reja në gjykim. Kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk pranohet edhe në rastet kur gjykata kryesisht konstaton pavlefshmëri absolute apo papërdorshmëri të provave, si rezultat i të cilave çmon se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen e akteve. Në këtë rast, në vendimin e saj për refuzimin e kërkesës gjykata përcakton edhe aktet absolutisht të pavlefshme apo provat e papërdorshme në gjykim. Ky rregull nuk zbatohet kur kërkohen prova lidhur me personalitetin e të pandehurit, apo gjendjen e tij personale, familjare ose ekonomike. 8. Kur gjykata pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar, gjykata fton palët të paraqesin diskutimet përfundimtare. 9. Kur gjykata pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar, padia civile nuk shqyrtohet."

Më shumë se thjesht tekst ligjor

bolt

Kërkim Rrufe

Gjeni çdo nen në më pak se 2 sekonda direkt në App.

psychology

Analizë AI

Inteligjenca artificiale që shpjegon lidhjet mes ligjeve.

phonelink_setup

Në Celular

Shtoje si aplikacion (PWA) për qasje të shpejtë në gjykatë.

Eksploro të gjitha kodet →