Neni 342
"Gjykimi i pandërprerë (Shtuar pika “4” me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002; ndryshuar fjalë në fund të pikës 4 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Kur shqyrtimi gjyqësor nuk mund të përfundohet në një seancë të vetme, gjykata vendos që të vazhdojë ditën e mëpasme të punës. 2. Gjykata mund të ndërpresë shqyrtimin gjyqësor, vetëm për arsye të veçanta, deri në pesëmbëdhjetë ditë. 3. Shtyrja dhe ndërprerja e shqyrtimit gjyqësor shpallen nga kryetari në seancë. Shpallja zëvendëson njoftimin për ata që janë të pranishëm ose që duhet të quhen të pranishëm. 4. Kur për shkaqe të përligjura ndryshon përbërja e trupit gjykues, anëtari i ri duhet të njihet me përmbajtjen e procesit gjyqësor, përveç rastit kur kërkohet prej tij që çështja të shqyrtohet nga fillimi. Kur ndryshon më shumë se një nga anëtarët e trupit gjykues që gjykon me tre gjyqtarë dhe më shumë se tre nga anëtarët e trupit gjykues që gjykon me pesë gjyqtarë, gjykimi fillon nga e para."