Neni 293
"Referimi i veprës penale te prokurori (Ndryshuar fjalia e parë në pikën 1 dhe shtuar fjalitë në pikën 1 dhe 3 me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Me marrjen e njoftimit për një vepër penale, policia gjyqësore, pa vonesë, por jo më vonë se 72 orë, i referon prokurorit, me shkrim, elementet thelbësore të faktit dhe elementet e tjera që janë mbledhur deri atëherë, duke treguar burimet e provës dhe veprimet e kryera, si dhe vë në dispozicion të prokurorit, për vlerësim, të gjitha aktet dhe provat e marra. Ajo njofton, kur është e mundur, edhe gjeneralitetet, banesën dhe çdo gjë që vlen për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet, të personit të dëmtuar dhe të atyre që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit. 2. Kur ka urgjencë dhe në rastet e krimeve të rënda, njoftimi bëhet menjëherë edhe me gojë, i cili nuk përjashton detyrimin për të referuar me shkrim. 3. Me njoftimin, policia gjyqësore, gjithashtu tregon ditën dhe orën në të cilën ka marrë dijeni për veprën penale."