Neni 17
"Heqja dorë (Ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Gjyqtari ka për detyrë të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete: a) kur ka interes në procedim ose kur një nga palët private ose një mbrojtës është debitor a kreditor i tij, i bashkëshortit, bashkëjetuesit ose i fëmijëve të tij; b) kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit ose i njërës nga palët private ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini e afërt e tij ose e bashkëshortit të tij; c) kur ka dhënë këshilla ose kur ka shfaqur mendim mbi objektin e procedimit; ç) kur ekzistojnë mosmarrëveshje ndërmjet tij, bashkëshortit ose ndonjë të afërmi të tij me të pandehurin ose njërën prej palëve private; d) kur ndonjë prej të afërmve të tij ose të bashkëshortit është cenuar ose dëmtuar nga vepra penale; dh) kur një i afërm i tij ose i bashkëshortit kryen ose ka kryer funksionet e prokurorit në të njëjtin procedim; e) kur ndodhet në një nga kushtet e papajtueshmërisë të parashikuara nga nenet 15 dhe 16; ë ) kur ekzistojnë shkaqe të tjera të rëndësishme njëanshmërie. 2. Deklarimi i heqjes dorë i paraqitet kryetarit të gjykatës përkatëse i cili e miraton ose e refuzon atë me vendim të arsyetuar. 3. Mbi deklarimin e heqjes dorë të kryetarëve të gjykatave vendosin kryetarët e gjykatave të një shkalle më lart. Mbi deklarimin e heqjes dorë të kryetarit të Gjykatës së Lartë vendos një trup gjykues i Gjykatës së Lartë i përbërë nga tre gjyqtarë."