Neni 13
"Gjykatat penale të shkallës së parë dhe përbërja e tyre (Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002, nr.9276, datë 16.9.2004, nr.9911, datë 5.5.2008 dhe nr. 35/2017, datë 30.3.2017) 1. Veprat penale gjykohen në shkallë të parë nga gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas rregullave dhe përgjegjësive të caktuara në këtë Kod. 2. Gjykatat e rretheve gjyqësore dhe Gjykata e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykojnë me një gjyqtar: a) kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake; b) ankimi ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin e ndjekjes penale apo pushimin e çështjes për kundërvajtjet penale; c) kërkesa e prokurorit për pushimin e akuzës ose çështjes për krimet; ç) kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq; d) kërkesën e prokurorit për miratimin e urdhrit penal; dh) kërkesat që lidhen me ekzekutimin e vendimeve penale; e) kërkesat për rivendosje në afat; ë) kërkesat që lidhen me marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja, sipas titullit X të këtij Kodi; f) çdo kërkesë tjetër të parashikuar në këtë Kod apo në ligje të veçanta. 3. Gjykatat e rretheve gjyqësore gjykojnë me një gjyqtar veprat penale, për të cilat parashikohet dënim me gjobë ose me burgim në maksimum jo më shumë se 10 vjet. Veprat e tjera penale gjykohen me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. 3/1. Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, me përjashtim të rasteve kur ky Kod parashikon ndryshe. Kjo gjykatë gjykon me një gjyqtar akuzat penale kundër funksionarëve, sipas nenit 75/a, të këtij Kodi, për vepra penale të ndryshme nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, për të cilat parashikohet dënim me gjobë ose me burgim në maksimum jo më shumë se 10 vjet. 4. Gjykimi i të miturve bëhet nga seksionet përkatëse të krijuara sipas ligjit. Këto seksione gjykojnë edhe të pandehurit e rritur që akuzohen për kryerjen e veprave penale në dëm të të miturve. 5. Parashikimet e pikës 4, të këtij neni, nuk zbatohen në rastet e përcaktuara në paragrafin 1, të nenit 80, të këtij Kodi."