Neni 96
"Pajisja me prokurë e përfaqësuesit (Ndryshuar paragrafi i parë me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001) Si përfaqësues të palëve me prokurë mund të jenë: a) avokatët; b) bashkëshortët, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit dhe motrat; c) juristët dhe punonjësit e tjerë të autorizuar të institucioneve shtetërore ose të personave juridikë; ç) personat që lejohen nga gjykata për të qenë përfaqësues në një çështje; d) personat e tjerë që parashikohen me ligj se mund të jenë përfaqësues të palëve. Nuk mund të jenë përfaqësues të palëve: a) personat që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç; b) personat që u është hequr zotësia për të vepruar; c) avokatët të cilëve u është pezulluar ushtrimi i profesionit për aq kohë sa zgjat kjo masë; ç) gjyqtarët dhe prokurorët. Prokura mund të jetë e përgjithshme ose e posaçme. Ajo bëhet me shkrim sipas dispozitave të Kodit Civil, si dhe me gojë përpara gjykatës që shqyrton mosmarrëveshjen."