Neni 64
"Detyrimi për pranimin e çështjes për gjykim (Shtuar fjalë në paragrafin e dytë me ligjin nr. 122/2013, datë 18.4.2013; hequr fjalë në paragrafin e dytë me ligjin nr. 38/2017, datë 30.3.2017; ndryshuar paragrafi i dytë dhe shtuar dy paragrafë me ligjin nr. 44/2021, datë 23.3.2021) Çështja që dërgohet për shqyrtim nga një gjykatë në një gjykatë tjetër të së njëjtës kategori ose nga një gjykatë më e lartë, duhet të pranohet dhe të shqyrtohet nga gjykata së cilës i dërgohet. Konfliktet për kompetencë midis gjykatave nuk lejohen, por gjykata ka të drejtë t’ia parashtrojë qëndrimin e saj Gjykatës së Lartë, e cila vendos për rregullimin e kompetencës në dhomë këshillimi, me trup gjykues të përbërë nga 3 gjyqtarë. Gjykata e Lartë shprehet me vendim të arsyetuar jo më vonë se 30 ditë nga momenti i depozitimit të parashtresës. Gjykata e Lartë në vendimin e saj për rregullimin e kompetencës jep udhëzimet e nevojshme për procesin gjyqësor të zhvilluar dhe për vazhdimin e tij nga gjykata që deklarohet kompetente."