Neni 583
"Kundërshtimi i personit të tretë (Zëvendësuar fjalë në paragrafin e dytë dhe të tretë me ligjin nr. 8812, datë 17.5.2001) Personi i tretë, brenda pesë ditëve nga lajmërimi i sekuestrimit, është i detyruar t’i përgjigjet përmbaruesit gjyqësor: a) nëse pranon se kredia ose sendet, mbi të cilat është vendosur sekuestroja, janë të debitorit dhe nëse është gati të shlyejë kredinë ose të dorëzojë sendet; b) nëse mbi kredinë ose mbi sendet kanë pretendime edhe persona të tjerë; c) nëse mbi kredinë ose mbi sendet është vënë sekuestër edhe në bazë të një urdhri tjetër ekzekutimi. Personi i tretë dhe, kur ky është institucion apo ndërmarrje shtetërore, personi përkatës, që nuk jep përgjigje brenda afatit të mësipërm, dënohen nga përmbaruesi gjyqësor me gjobë nga 1 000 deri në 50 000 lekë. Kjo pasojë duhet të përmendet në lajmërimin e sekuestrimit. Kundër vendimit të përmbaruesit mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 5 ditëve nga komunikimi i tij."