Neni 577
"Përsëritja e ankandit (Ndryshuar paragrafi i parë me ligjet nr. 10 052, datë 29.12.2008 dhe nr. 122/2013, datë 18.4.2013; ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 114/2016, datë 3.11.2016) Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, jo më të ulët se 30 për qind të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë. Ankandi i dytë për shitjen e sendit bëhet sipas rregullave të përcaktuara në nenin 568 të këtij Kodi dhe zhvillohet 30 ditë nga e nesërmja e datës së caktimit të çmimit të ri. Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të sendit, jo më të ulët se 10 për qind të çmimit të përcaktuar nga përmbaruesi, në ankandin e dytë. Ankandi i tretë për shitjen e sendit bëhet sipas rregullave të përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 568, të këtij Kodi, dhe zhvillohet jo më vonë se 30 ditë nga e nesërmja e datës së caktimit të çmimit të ri. Në rast se në ankandin e tretë nuk është paraqitur asnjë ofertues, përmbaruesi gjyqësor i propozon në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të tretë. Në rast se kreditori, brenda 30 ditëve nga marrja e propozimit nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi gjyqësor heq sekuestron mbi sendin e sekuestruar dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të debitorit. Kur kreditorët që kërkojnë të marrin sendin kundrejt kredisë janë disa, përmbaruesi gjyqësor deklaron blerës kreditorin që brenda 3 ditëve nga propozimi jep çmimin më të lartë se çmimi i caktuar për ankandin e ri."